Për herë të parë sponsori aktual i Vllaznisë Alban Xhaferi ka folur edhe për procesin e privatizimit të klubit shkodran. Si i vetmi subjekt i kualifikuar për më tej në këtë proces, ai me të drejtë pret mbylljen e tij dhe firmosjen e kontratës me Bashkinë Shkodër, për të vijuar me projektin për rikthimin e Vllaznisë së madhe.
Jemi në një fazë ku kompania ime është kualifikuar për në fazën tjetër të ankandit. Unë thjesht pres procedurat e Bashkisë në mënyrë që të realizohet edhe faza e dytë dhe të vijojmë me lidhjen e kontratës.
Ne vazhdojmë punën, por duhet theksu se dëshira dhe pasioni për Vllazninë është shumë i madh dhe kjo dëshirë na ka bërë këtë vit që të investojmë përtej mundësive dhe këtu bëhet fjalë jo vetëm për investimin financiar, por edhe tek pjesa e shpenzimit kohor të një stafi të jashtëzakonshëm që ka punuar për këtë projekt.
Unë shpresoj që procesi i privatizimit të mbarojë sa më shpejt dhe të jemi të sigurtë në vazhdimin e investimit i cili do të jetë shumë më i madh ngaqë ekipi do të hyjë edhe në Kupat e Europës dhe prandaj do kërkohen lojtarë cilësorë në disa pozicione.
Prandaj për mua personalisht është shumë e rëndësishme mbyllja e këtij procesi sepse dua të di pozicionin tim në mënyrë që të vijojmë me projektin e madh për kthimin e Vllaznisë së madhe që tashmë është bërë realitet”- është shprehur Xhaferi./SHKODRA-SPORT.COM/