Skënderbeu pret sot Vllazninë, në një ndeshje ku bardhekuqtë e Migen Memellit do të tentojnë që të marrin pikët e plota, që do të ishin tepër çliruese për ta pas disa humbjeve rradhazi. Në kushte të tilla, është koha që korçarët të kërkojnë maksimumin këtë javë, pavarësisht se është një ndeshje e vështirë dhe këtë e dijnë fort mirë.

Garant për këtë del një shkodran, si një ish i Vllaznisë kërkon që të marrë më të mirën e vet përballë së shkuarës. Është pikërisht sulmuesi Belajdi Pusi, që në një prononcim të dhënë për “Shkodra Sport” flet për ndeshjen e sotme që do ta ketë ndaj skuadrës ku është rritur, Vllaznisë, të cilën e shikon si një mundësi për të marrë fitore.

Pusi, ndonëse deri më tani në këtë sezon, nuk ka luajtur në pozicionin e tij të zakonshëm, atë të sulmuesit, sërish është munduar të japë më të mirën për këtë skuadër.

“Po, është e vërtetë që nesër ndaj Vllaznisë, është një ndeshje vendimtare, sepse një fitore do të na ndihmojë të kthejmë besimin dhe të dalim nga kjo pozitë që jemi.

Në këtë moment, të gjithë po mendojmë për ekipin që të arrijmë objektivin që kemi. Unë gjithmonë pres më shumë nga vetja dhe punoj çdo ditë të rritem dhe të arrij në një nivel tjetër, që e di se mund të arrij.

Pres shumë më shumë nga vetja, sepse e di çfarë mund të arrij. Për të shkuar aty ku dua, ndikojnë shumë faktor dhe shpresoj që të kem fatin në favorin tim, që kjo të ndodhë sa më shpejt.

Po bëj maksimumin për të ndihmuar ekipin në pozicione të ndryshme dhe nuk e kam problem të luaj ku më thotë trajneri Memelli. Në ndeshje preferoj të kënaqem, duke luajtur futboll dhe në fund të fitojë skuadra ime, Skënderbeu.

Vllaznia ka vend të veçantë në zemrën time dhe jam tifoz i zjarrtë kuqeblu. I uroj suksese në ndeshjet e tjera, por tani jam i Skënderbeut dhe dua ta ndihmoj ekipin që të arrijmë objektivin që kemi.

Sot ndaj Vllaznisë, do jetë një ndeshje shumë e luftuar nga të dyja ekipet. Besoj se në fund, do i arrijmë ne pikët se i kemi shumë jetësore”,-mbylli prononcimin e tij, sulmuesi i Skënderbeut, shkodrani Belajdi Pusi.

Maringlen ZHIVANI