Ekipi i Vllaznisë ka mbyllur dje përgatitjet për ndeshjen e rradhës, atë ndaj Skënderbeut dhe në orët e para të pasdrekës së djeshme, është nisur drejt Korçës. Atmosfera në rradhet e kuqebluve duket shumë optimiste dhe padyshim që synimi do të jetë fitorja në takimin e sotshëm.

Takimi, i cili do të luhet në stadiumin “Skënderbeu” të Korçës, duke filluar nga ora 16:45, pritet të jetë një ndeshje vendimtare për fatet e të dyja skuadrave. Megjithatë, trajneri Thomas Brdariç ka menduar edhe për formacionin që do të zbresë në fushë dhe nga sa është parë në stërvitje, Vllaznia pritet t’i rikthehet skemës 4-2-3-1.

Trajneri Brdariç e ka fiksuar formacionin që do të hedhë sot në stadiumin “Skënderbeu” të Korçës dhe ndryshimet do të jenë të pakta. Në kampin kuqeblu, bie në sy fakti i aktivizimit nga minuta e parë e mesfushorit, Arsid Kruja, i cili do të mbulojë krahun e djathtë të mbrojtjes, në mungesë të kapitenit Gurishta, i dëmtuar.

Në portë pritet të jetë Zogoviç, mbrojtja do të përbëhet me Adilin dhe Diagne, të cilët janë të palëvizshëm në qendër të repartit, teksa Arsid Kruja dhe Bulatoviç përbëjnë krahët e defensivës.

Në mesfushë, pritet të jenë Jonuzi dhe Krymi, ndërkohë që, Mustedanagiç do plotësojë treshen e repartit, teksa pritet që të jetë paksa më lart tyre, në mbështetje të fazës sulmuese.

Gjithashtu, nga sa bëhet e ditur, me informacionet e marra pranë stafit teknik, Vllaznia pritet ta nisë ndeshjen nga minuta e parë me katër lojtarë me tipare tërësisht ofensive. Gjurgjeviç sërish do preferohet para Aralica, që e ka humbur vendin e titullarit prej javësh, kurse nga krahët do të luajnë Victor Da Silva dhe Latifi, teksa pas tyre do jetë Mustedanagiç, me synimin e një presioni të mundshëm në gjysëmfushën kundërshtare të Skënderbeut, për të nxjerrë sa më shpejt në dritë golin e avantazhit.

Vllaznia do të luajë sot në orën 16:45 një transfertë delikate në Korçë kundër Skënderbeut dhe padyshim që synimi do të jetë fitorja në këtë takim, teksa për këtë duel do të jetë i graduar trajner i parë Elvis Plori, ndërsa Brdariç do të duhet që të ndjekë gjithçka nga tribuna në stadiumin “Skënderbeu”.

Maringlen ZHIVANI