Ka provuar të drejtojë më parë Tërbunin e të rriturve dhe po ashtu edhe Vllazninë B, ndërkohë që për disa vite ka punuar si trajner moshash edhe tek Akademia Vllaznia.
E kemi fjalën për një emër të njohur të futbollit shkodran si Altin Xhahysa, i cili sivjet ka marrë përsipër të drejtojnë ekipin e KF Murlanit që do të debutojë pas pak ditësh në kategorinë e tretë të futbollit shqiptar.
Në pamje të parë duke se kemi të bëjmë me një “ulje në karrierë” për këtë trajner, por në fakt ai mendon ndryshe e për këtë arsye, në një prononcim për “Shkodra Sport” do të shprehej:
Arsyeja pse jam bërë pjesë e KF Murlanit është fakti që drejtuesit e tij kanë nisur një projekt shumë serioz dhe afatgjatë. Vërtetë sot drejtoj një skuadër në kategorinë e tretë, por vetëm për pak kohë sepse shumë shpejt ajo do të jetë në kategorinë e dytë dhe pastaj në të parën dhe pak pak vitesh besoj edhe në Superiore.
Kampionati i kategorisë së tretë fillon më 10 shkurt dhe ndeshjen e parë e kemi me ekipin e Kinostudios. Ndeshjet do të luhen në Tiranë, do të jenë vajtje- ardhje dhe në fund të 10 javëve do të përcaktohet edhe ekipi që do të ngjitet në kategorinë e dytë.
Jam shumë i bindur se KF Murlani në fund të kampionatit do të jetë një kategori më lart. Vërtetë pjesmarrës do të jetë edhe një ekip si Luftëtari i Gjirokastrës me shumë traditë, por ai jo më kot ndodhet në këtë kategori sepse ka problemet e veta, por edhe ne jemi “Murlani”, shpresoj të furishëm si emri i erës që përfaqësojmë”./SHKODRA-SPORT.COM/