Pak ditë më parë FC Basania përmes faqes së saj zyrtare ka reaguar fort në lidhje me disa padrejtësi që po bëhen në kampionatet e moshave në Ligën Amatore në Zonën e Shkodrës. Ideja ishte kryesisht në aktivizimin e futbollistëve më të mëdhenj në moshë nga ekipet e tjera, kjo në shkelje të hapur të rregullores së këtyre kampionateve.

FC Basania e ka ngritur me të drejtë zërin dhe arysen pse ka vepruar kështu, e ka shpjeguar edhe drejtori teknik i saj Ditmar Jubica gjatë emisionit “Star Sport” ku ka qenë i ftuar.

“Ashtu siç e ka deklaruar edhe drejtuesi dhe themeluesi i FC Basania, z. Ermir Shimaj, ne në rradhë të parë po mundohemi të ndryshojmë mentalitetin tonë dhe mandej, sa të mundemi edhe të ekipeve të tjera.

Ne nuk kërkojmë të favorizohemi, por as të disfavorizohemi. Janë fenomene që kanë ekzistuar dhe shpresoj që të mos ekzistojnë. Ky ka qenë dhe qëllimi i reagimit tonë.

Nuk kemi kërkuar të fitojmë ndeshjen, por kemi kërkuar të merren masa nga secili anëtar i Ligës Amatore dhe të jenë koshient për veprimet që ato bajnë. Në këto kampionate duhet të luajnë moshat e caktuara, biles unë do të kisha propozuar që të luhej mbi bazën e moshës biologjike dhe jo asaj kronologjike.

Sepse të luajë një lojtar që është dy vite më i madh në moshë me një lojtar dy vite më të vogël, është goxha diferencë. Shpresoj që fenomeni i aktivizimit të futbollistëvë më të mëdhenj të moshë të mos ndodhi.

Nga ana e FC Basania nuk ka për të ndodhur asnjëherë dhe shpresoj që edhe ekipet e tjera të ndërgjegjësohen. Ky është një fenomen që ka ekzistuar prej shumë e shumë vitesh dhe ekziston sërish.

Kurrsesi nuk duhet punuar për t’i fituar ndeshjet me çdo kusht sepse duke vepruar në këtë mënyrë, nuk i lëmë ato fëmijë të fitojnë shprehitë e duhura dhe jo vetëm në cilësitë teknike e taktike, por mbi të gjitha në cilësitë e personalitetit të tyre.

Rezultati nuk është primar në moshat e vogla dhe ndoshta në moshat 15, 17 dhe 19 vjeç, kjo dëshirë për të fituar edhe mund të ekzistojë sepse i motivon futbollistët edhe më shumë, por në moshat e vogla kurrsesi”./SHKODRA-SPORT.COM/