“Mos u merrni as me pikët, as me diferencën që kemi me Vllazninë. Dua që të shohim ndeshjen e radhës dhe ta fitojmë atë”. Orges Shehi ka qenë i qartë me skuadrën e tij. Në të gjitha mbledhjet me skuadrën dhe diskutimet para dhe pas ndeshjes me Apoloninë, trajneri i ri i bardhebluve ka kërkuar nga lojtarët vetëm një gjë. Të mos fiksohen me rezultatet e të tjerëve. Të mos shohin renditjen, por të merren me veten dhe rezultatet e tyre.

Sipas asaj që është mësuar, Shehi u ka transmetuar lojtarëve idenë që skuadra duhet të merret me kundërshtarët e vet. Të mos shohë, Vllazninë, Partizanin apo Laçin, por kundërshtarin që Tirana do të ketë përballë. Shehi ua ka bërë të qartë të gjithëve. Nuk është momenti që të mendohet se çfarë bëjnë kundërshtarët, por të fitojnë të gjitha ndeshjet që bardheblutë kanë në dispozicion.

Vetëm duke fituar ndeshjet, mund të përmbyset rezultati. Shehi e ka kërkuar me ngulm faktin që askush nuk duhet të rrijë me laps në dorë, por të bëjë maksimumin për të fituar me Skënderbeun, Kukësin, Teutën dhe Vllazninë. Sipas tij, këto janë ndeshjet kryesore të Tiranës. Në fakt, Shehi do të përballet me dy skuadra që në të kaluarën i ka drejtuar. Korçarët dhe Kukësin. Do të jetë e kaluara ndaj të tashmes dhe durrsaku shpreson që të mos gabojë në asnjë moment.

STËRVITJA – E hëna ka qenë një ditë e vështirë për bardheblutë nga ana organizative. Shiu nuk ka lejuar një stërvitje normale, por kjo ka qenë një situatë për gjithë skuadrat. Në këto kushte Shehi, ka optuar për stërvitje të dyfishtë. Titullarët në palestër, ndërsa pjesa e tjetër mes fushës dhe palestrës.

Gjithsesi, grupi nuk ka shkuar më shumë se 1 orë në qiell të hapur, pasi reshjet e shiut e bënin të pamundur përgatitjen e ekipit. Bardheblutë do të luajnë të shtunën me Skënderbeun dhe në asnjë rast nuk duhet të gabojnë. Tri pikët me korçarët janë shumë të rëndësishme.