Ekipi i Vllaznisë në boks pritet të shpallet sot në drekë kampion i vendit për të 18-tën herë në historinë e boksit shqiptar. Ecuria e kuqebluve të trajnerit Zef Gjoni në dy ditët e para eliminatore ka qenë shumë e mirë. Pas 5 fitoreve të arritura në ndeshjet e ditës së parë, dje në ditën e dytë kemi patur 4 fitore të tjera të tyre. Kështu në peshën 60 kg, Denis Zllatiçanin ka mundur Tolën e Teutës, në peshën 69 kg, Asmer Bilali ka fituar ndaj Albi Sorrës së Tiranës, në peshën 81 kg, Bekim Vjerdha ka mundur Vatën e Partizanit dhe në peshën 91 kg, Kristian Dema ka mundur Mancakun e klubit Enea.

E vetmja humbje për shkodranët ka qenë ajo e peshës 64 kg ku Kristian Shytani ka humbur ndaj fierakut Vrenozi. Me rezultatet e ditës së djeshme, janë plot 6 boksierë të Vllaznisë që kanë fituar të drejtën për të dalë në finalet e sotme. Në peshën 49 kg, A. Preçaj do diskutojë ndeshjen me Zajmin e Eneas, në peshën 60 kg, Zllatiçanin do ndeshet me Rrokajn e Apolonisë, në peshën 69 kg, Bilali do ndeshet me Spahiun e Eneas, në peshën 81 kg, Vjerdha do ndeshet me Ramën e Flamurtarit, në peshën 91 kg, Demaj do ndeshet me Tafhasën e Tiranës dhe në peshën +91 kg, Hysa do ndeshet me Sorrën e Tiranës. Nga fakti që 6 boksierë të Vllaznisë do jenë në finale, skuadra shkodrane duket shumë e sigurtë në shpalljen kampion.