Mathew Jones prej pak ditësh ndodhet në Shkodër teksa ka marrë përsipër të drejtojë ekipin e basketbollit të meshkujve të Vllaznisë.

Amerikano- gjermani që ka një përvojë të konsiderueshme si trajner, ka dhënë edhe prononcimin e parë si trajner i kuqebluve.

“E prita me interes ofertën për të ardhur në Shqipëri dhe për të marrë drejtimin e Vllaznisë. Secili trajner kërkon gjithmonë të ketë një karrierë sa më të mirë duke drejtuar në kampionate të mira dhe unë mendoj se kam ardhur në një vend ku luhet një basketboll i kënaqshëm”- është shprehur Jones në emisionin “Sport Show”.

Trajneri në fakt nuk ka ardhur vetëm në Shkodër sepse bashkë me të kanë mbërritur deri tani edhe 5 lojtarë po nga Amerika. Në lidhje me to, ai është shprehur:

“Tre prej lojtarëve amerikanë që kanë ardhur i njoh, ndërsa për dy të tjerët kam bërë kërkim rreth tyre dhe e di kush janë dhe mënyrën si luajnë. Ata do të jenë pjesë e ekipit bashkë edhe me kontigjentin tjetër të lojtarëve dhe do të marrim maksimumin prej secilit”.

I pyetur ndërkohë për pretendimet që do të ketë Vllaznia, trajneri Jones është shprehur: “Objektivi është të ndërtojmë një ekip kompetitiv dhe do të bëj më të mirën që ai të fitojë cdo ndeshje. Po punojmë fort me nga dy seanca në ditë dhe besoj se jemi gati për startin e kampionatit. Kam marrë informacion për rivalët dhe mendoj se do të kemi konkurrencë me ekipin e Gogës”./SHKODRA-SPORT.COM/