I ftuar në emisionin Star Sport mbrëmë ishte edhe trajneri i Murlanit, Altin Xhahysa. Ish-sulmuesi i njohur i Vllaznisë foli për situatën aktuale tek kuqeblutë ku vuri theksin tek mungesa e sakrificës, por edhe disa kapriço të lojtarëve shkodranë.

Xhahysa tha: “Mendoj se Vllaznia humbi një ndeshje me Tiranen që ndoshta nga shumë kush nuk pritej, por që u kuptua që në minutat e para.

E them këtë se Vllaznia luajti që në fillim me topa të gjatë dhe u pa që kjo nuk ishte mënyra e duhur për të marrë diçka pozitive, sepse nuk po funksiononte. Tirana e mundi Vllazninë me vetëm 60% të potencialit të saj. Ishte një nga fitoret më të lehta për ta në vitet e fundit në Shkodër.

Shoh mungesë sakrifice, por edhe harmonie tek Vllaznia. Ambienti nuk është si sezonin e kaluar. Nga informacionet që kam, Arsid Kruja nuk ka dëgjuar të luajë si mbrojtës i djathtë kundër Tiranes. Prandaj u aktivizua Fangaj.

Po ashtu n ndeshjen me Kukësin, Da Silva i është drejtuar stafit teknik në formë “urdhëri” që ai të jetë se s’bën në formacionin titullar. Po kush është Da Silva ? Vllaznia s’ka probleme vetëm në fushë, por edhe jashtë. Prandaj drejtuesit duhet të marrin masat sa më shpejt për zgjidhjen e situatës”.