Xhani De Biazi ka qenë sot pjesë e një paneli me emrat më të shquar të trajningut italian, në një ceremoni të organizuar për 120 vjetorin e Federatës Italiane të Futbollit. De Biazi ishte rreshtuar përkrah Masimiliano Alegrit, Antonio Konte, Karlo Ançeloti, Masimo Karrera, Roberto Mançini dhe Fabio Kapelos, me secilin që ka folur për zhvillimin e trajnerëve italiane dhe eksperiencat jashtë Italisë që kishin shumë prej tyre.

Vetë De Biazi ka treguar për eksperiencën e tij me Shqipërinë dhe ka folur për disa nga gjërat që ndryshonin në krahasim me atë që ishin mësuar në futbollin italian.

“Hanë në mënyrë të ekzagjeruar, me disa pjata të çuditshme, pasi e përjetojnë futbollin në mënyrë më lozonjare. Pastaj autobusi dukej si një diskotekë me muzikën në maksimum.

Punëtori i bazës materiale e vendos, ti afrohesh dhe ul zërin, ndërsa ai e ngre përsëri”, tregoi De Biazi në këtë panel mes të qeshurave të shumë prej kolegëve të tij të cilët me siguri kanë përjetuar situata të njëjta në vende të ndryshme të botës ku kanë drejtuar.

E megjithatë, ai pranon se ka mësuar shumë nga eksperienca e tij në drejtimin e kuqezinjve, me të cilët arriti deri në Euro 2016 dhe fitoi një shikueshmëri të jashtëzakonshme edhe në vendin e tij.

“Nuk kam drejtuar klube të mëdhenj, por eksperienca me kombëtaren shqiptare më ka mësuar se sa më i qartë të jetë mesazhi dhe organizmi i punës, aq më shumë shanse ke që të paraqitesh mirë.

Ekuilibri është thelbësor, mes asaj që dëshiron të bësh dhe të respektosh sa më shumë të jetë e mundur ritmin dhe kulturën sportive të vendit që të pret”, theksoi ai. /vipsport/