Ndeshja mes Kamzës dhe Laçit, e vlefshme për javën e 24 të Kategorisë Superiore, nuk ka përfunduar në mënyrën më të mirë të mundshme, duke qenë se në fund të takimit, fusha është pushtuar nga tifozët të cilët kanë sulmuar arbitrin e ndeshjes.

Penalltia e akorduar në sekondat e fundit, ka irrituar tifozët e Kamzës të cilët kanë goditur arbitrin Eldorian Hamiti. Në lidhje me këtë incident të ndodhur, ka reaguar për ‘VipSport.al’ kryetari i Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu i cili tregon se padrejtësitë e treguara në futbollin shqiptar, e kanë detyruar që të tërhiqet.

I pyetur nëse ky incident e njollos qytetin e Kamzës, Mziu shprehet se Kamza nuk njolloset nga makinacionet e FSHF-së.

“Incidenti? Nuk kam asnjë informacion, kam hequr dorë ka kohë nga Kamza për shkak të këtyre padrejtësive. Qyteti nuk përbaltet nga makinacionet e FSHF.

Ndërkohë, për këto arsye mos konkurrence të pastër, nuk merrem më me futbollin. Qytetaret e Kamzës janë më qytetarët e Shqipërisë”, u shpreh Mziu. /VipSport/