I mjaftoi një ndeshje si titullar që të shënonte. Xhevahir Sukaj e bën “sefte” me Flamurtarin, që në fakt është i pari pas 10 muajsh shterpësi (të fundit e ka realizuar më 23 maj 2018, në Skënderbeu-Vllaznia).
E megjithatë, një “bomber” si ai nuk mund t’i kënaqet një goli, kur skuadra nuk shkon më larg se barazimi dhe këtë e thotë qartë në deklaratën e dhënë për “Panorama Sport” pas ndeshjes.
Ai thekson se kuqezinjtë humbën dy pikë kundër Kastriotit dhe nënvizon se starti i gabuar i pjesës së dytë të lojës i ndëshkoi. “Pjesën e parë luajtëm mirë. Ekipi ishte i përqendruar maksimalisht në çdo aspekt. Por e dyta nuk nisi siç duhet dhe për rrjedhojë u ndëshkuam nga ai gol, i cili solli edhe barazimin.
Nuk është se u dorëzuam, pasi rastet i patëm. Me pak fat, mund edhe ta kishim fituar këtë 90- minutësh. Mundësitë për të dalë me fitoren nga kjo ndeshje ishin reale, ndaj them që humbëm dy pikë. Një barazim nuk është se duhet të mjaftojë”, kështu e nisi fjalën e tij shkodrani.
Gjykimi – Sulmuesi ndalet edhe te gjykimi. Edhe pse në Vlorë, rëndom janë mësuar që të penalizohen. Dje nuk pati vend për ankesa dhe një të tillë e thekson edhe vetë Sukaj kur thotë: “Nuk dua të merrem shumë me gjykimin. Në ndeshjet e kaluara kam vënë re shumë raste kundër nesh. Sot (dje) gjykimi ishte korrekt, por nuk kam dëshirë të flas për arbitrat”.
Objektivat – Sulmuesi beson se Flamurtari do të vijojë ecurinë pozitive. Sukaj thotë se janë të gjitha mundësitë për të marrë pikë dhe për t’u renditur në katër ekipet e para të tabelës. “Shpresoj që të marrim pikë në ndeshjet e radhës për të kapur katërshen e parë.
Unë besoj dhe shpresoj se mund ta arrijmë këtë objektiv që kemi. Kam shumë besim se do të mund të jemi te katër ekipet e para”, u shpreh ai. Si një lojtar profesionist që është, Sukaj e ka mjaft të qartë detyrën e tij dhe kur pyetet për këtë, me shumë modesti përgjigjet: “Maksimumin në çdo ndeshje”.