Gazetari i sportit, Pano Xhixho, duke folur për kualifikimin e Vllaznisë në finalen e Kupës, tha se shkodranët bënë një ndeshje që nuk kishte lidhje me sfidën e parë ndaj Partizanit.

Në emisionin “Skaner” në MCN TV, Xhixho deklaroi se te Vllaznia goli i anuluar në sfidën e parë u zmadhua më shumë seç duhej, ndërsa shtoi se shkodranët kërkuan alibi të tjera.

Kam përshtypjen që ajo ndeshja e parë, ai rasti i diskutueshëm u zmadhua më shumë se duhej. Ajo nuk ishte një ndeshje finale, që të penalizoheshin ose favorizoheshin nga arbitri, pasi kishte edhe ndeshje kthimi. Sot ishte një ndeshje që nuk kishte lidhje me ndeshjen e parë.

Te Vllaznia harxhuan aq shumë energji sa e kishin mendjen për golin e anuluar në Elbasan, sa harruan se duhet të luajnë në kampionat. Kërkuan alibi të tjera. Të gjithë e pamë që nuk ishte Vllaznia e të para.

Partizani ishte një skuadër që priste se çfarë do të bënte Vllaznia. Shkodranët kishin topin gjithë kohën.