Gazetari Pano Xhixho, deklaroi në emisionin “Skaner” në MCN TV, se ka një dakordësi për ndryshimin e formatit të Superiores, që pas përfundimit të kampionatit, të bëhet një ligë mes katër skuadrave të renditura në vendin e parë. Xhixho tha se do të shtohen të ardhurat për ekipet, por shtoi se do të humbasë pak nocioni kampionat i rregullt.
“Dakordësia ishte që katër skuadrat që e mbyllin të parat kampionatin, do të kenë një ligë mes tyre. Skuadra që është e para, do ketë gjithmonë prioritet. Nuk do të zerohen pikët. Në momentet që ka barazim, skuadra e parë ka prioritet gjithmonë, në rast barazimi.
Mesa kam dijeni, këto po bëhen për të gjeneruar të ardhura. E mira është që shtohen të ardhurat për ekipet jo elitare, por e keqja është se relativizohet pak kampionati. Humbet pak nocioni kampionat i rregullt.
Një skuadër që renditet e katërta, në fund del kampion. Një skuadër investon shumë, për të qenë e shkëputur në kampionat dhe në fund të sezonit rrezikon që në Champions League të shkojë skuadra e vendit të katërt.
Duhet ditur se në fund, jo të gjithë presidentët do të jenë të kënaqur. Mund të bësh një kampionat shumë të mirë dhe të jesh përpara dhe në fund të vjen një ekip i vendit të katërt, që është më në formë dhe ta merr. Klubeve do i çohet propozimi final, për këtë jam i bindur.”, u shpreh Xhixho.