Vllaznia në volejboll për meshkuj ka bërë një goditje të rëndësishme në merkato ditët e fundit. Ajo ka bërë pjesë të saj volejbollistin serb Vladan Xhorxheviç. Lojtari I sapoardhur është 34 vjeç por me një përvojë të madhe si në kampionatin e vendit të tij, ashtu edhe me kombëtaren e Serbisë por edhe shumë ekipe të tjera klubesh me të cilat ka luajtur gjatë karrierës.

Në prononcimin e tij të parë si volejbollist I Vllaznisë, Xhorxheviç për “SHKODRA SPORT” ka deklaruar se nuk ka shumë dijeni për nivelin e ekipeve të tjera të kampionatit shqiptar, por ka premtuar se me përvojën e tij do ta ndihmojë skuadrën shkodrane për të arritur objektivat që ajo ka. “Jam i kënaqur me pritjen që kam gjetur këtu në Shkodër. Ambjenti duket i mirë si në qytet ashtu edhe në skuadër sepse shokët e saj më kanë ndihmuar të përshtatem sa më shpejt. Nuk kam shumë informacion për ekipin e Vllaznisë, thjesht di që ka një trajner të mirë, lojtarë të mirë në përbërje të tij dhe se objektivi është për të synuar fitimin e trofeve këtë sezon. Natyrisht që unë me eksperiencën time do të mundohem të bëj maksimumin që ky objektiv të arrihet. Nuk kam dijeni në lidhje me gjendjen e ekipeve të tjera të kampionatit shqiptar por di të them se Vllaznia është një ekip i mirë dhe ka për t’u përfaqësuar denjësisht përballë tyre”- është shprehur volejbollisti serb. Kampionati i volejbollit starton këtë fundjavë por shkodranët nuk do jenë në parket sepse sipas kalendarit, në këtë javë të parë ata e kanë pushim. Objektivi i tyre gjithsesi dihet: për të qenë në garë për titullin kampion deri në fund. Por përveçse në kampionat, Vllaznia në volejboll për meshkuj është edhe në katërshen e ekipeve më të mira të kupës dhe prandaj edhe aty do të synojë fitimin e këtij trofeu. Çka do të thotë se vazhdimi i sezonit do të jetë shumë i vështirë por edhe i fortë dhe prandaj duhet luftuar fort në të dy frontet.

© shkodrasport.com