Të enjten ka rregjistruar të parën ndeshje të tij me fanellën e Vllaznisë dhe natyrisht që ka ndjerë emocione. Nuk ka qenë ndoshta ndeshja e tij më e mirë edhe për shkak të gjendjes fizike megjithatë mesfushori kosovar Yll Hoxha është i kënaqur me paraqitjen e ekipit që sipas tij, edhe mund ta kishte fituar ndeshjen. “Mendoj se kemi zhvilluar një ndeshje të mirë. Luajtëm me kujdes ndaj një kundërshtari shumë të fortë dhe madje kishim edhe raste për ta ndëshkuar. Vllaznia tregoi se mund të matet e barabartë me çdo ekip ndonëse ende nuk jemi në formën e duhur. Lojtarët e ardhur së fundi në ekip, përfshi këtu edhe mua, akoma nuk jemi ambjentuar me lojën e të tjerëve dhe besoj se nga ndeshja në ndeshje, loja jonë do të vijë duke u rritur”- ka thënë ai.

I pyetur sesi është ndjerë në këtë debutim të tij me fanellën kuqeblu, kosovari që më parë ka luajtur edhe me Kukësin e Flamurtarin në kampionatin shqiptar, shton: “Më duhet ta pranoj se më kanë pritur shumë mirë. Ambjenti që më rrethon është shumë i ngrohtë dhe kjo më ka bërë të ndihem mirë. Nuk më mbetet gjë tjetër veçse të plotësoj pritshmëritë e trajnerit dhe tifozëve për mua si futbollist”. Ndërkohë të hënën, kuqeblutë do të luajnë ndeshjen e dytë të kampionatit, atë ndaj Partizanit në Elbasan. Duke folur në lidhje me këtë ndeshje, 29 vjeçari nga Prishtina do të shprehej: “Sigurisht që është një ndeshje e mirë dhe për më tepër që do jemi mysafirë. Megjithatë Partizani nuk është i pakalueshëm. E rëndësishme është që ne të bëjmë lojën tonë dhe besoj se do t’ia dalim të marrim një rezultat pozitiv”. Në këtë mënyrë tashmë gradualisht vëmendja e të gjithëve në kampin shkodran është spostuar tek takimi ndaj të kuqve. Trajneri Cungu dhe futbollistët janë duke punuar jo pak në aspektin taktik për t’iu përshtatuar lojës së kundërshtarit dhe besimi ekziston.
© shkodrasport.com