Një emër i ri ka nisur të spikasë tek Akademia e Anderlehtit. Bëhet fjalë për Ylli Spahiun i cili është i datëlindjes
30 korrik 2007 dhe luan në repartin e sulmit.

Starti duket i mbarë megjithatë ka ende shumë rrugë përpara. Ylli dallohet për aftësitë e tij nuhatëse para portës
kundërshtare dhe është shumë teknik.

Në fakt lidhja e Yllit me futbollin nuk është rastësi. Dashurinë për këtë sport ia ka ushqyer vazhdimisht daja i tij, Izmir Shpuza. Ky i fundit ka qenë vetë futbollist dhe në vitin 2002 ka qenë pjestar i KF Shkodra.

  • Në foto, Izmir Shpuza dhe i nipi- Ylli Spahiu

Ka qenë ky i fundit që nga Belgjika në një prononcim për “Shkodra Sport” ka folur për karrierën e saponisur të nipit të tij, ka folur për të, për veten por edhe për disa të afërm të tij të cilët të gjithë merren me futboll.

“Ua kam ushqyer të gjithëve pasionin për futbollin. Duke nisur nga djali i axhës, Sebastiani që është pjesë e ekipit
të Superligës belge Mouscron, për të vijuar me dy nipat e mi, njëri është pjesë e Akademisë së Anderlehtit dhe tjetri
i Molembek.

Nëse flasim për Sebastianin, ai ka patur një dëmtim kohët e fundit por do të rikthehet shpejt dhe besoj përsëri në
nivele të larta. Sa i takon Yllit, e ka nisur mirë karrierën dhe shpresoj të vazhdoj kështu”- thotë ai në prononcimin
e tij për gazetën tonë.

Ndërkohë duke e pyetur në lidhje me karrierën e tij e cila në fakt nisi në Shkodër dhe vijoi më pas në Belgjikë por
për pak kohë sepse një dëmtim e largoi nga futbolli.

“Besoj se në karrierën time kam lënë gjurmë, ndonëse jo për shumë kohë. Kam luajtur fillimisht me Akademinë Vllaznia
ku kam punuar me trajnerë si Ismet Hoxha, Ardian Arra e Artan Bushati, ndërsa me të rriturit nuk munda të jem pjesë e
skuadrës në kohën kur trajner ishte Dervish Haxhiosmanoviç sepse konkurrenca ishte e madhe.

Për rrjedhojë, vazhdova të luaj me KF Shkodra ku trajner kisha Taip Piraniqin dhe Ylber Zanin, këtë të fundit madje e kisha edhe shok, edhe menaxher më pas. Më vonë, na ka drejtuar Luan Shpuza të cilin e kishim edhe si kapiten, si trajner dhe si shok.

Pas periudhës me KF Shkodra, për njëfarë periudhe jam aktivizuar edhe me Erzenin e Shijakut por aty nuk qëndrova gjatë për arsye financiare, ndërsa më 2008-ën u shkëputa përfundimisht nga futbolli pas një problemi që pata. Më pas, kur erdha në Belgjikë, u aktivizova sërish në disa ekipe të vogla, e më vonë më kërkuan edhe për trajner por nuk vendosa
t’i përkushtohem këtij zanati edhe për disa shkaqe të tjera.

Tani po merrem me këto nipat dhe të afërmit e tij, jam duke i ndihmuar në hapat e parë të karrierës së tyre dhe shpresoj që ata të ngjiten sa më lart”- thotë Izmir Shpuza në prononcimin e tij për “Shkodra Sport”..
© shkodrasport.com