Tashmë nuk ka më asnjë pengesë: Gjithçka duket gati për aktitetin ndërkombëtar të atletikës të emërtuar “100 vjet atletikë Vllaznia” që do të organizohet nga Bashkia Shkodër dhe Sportklub Vllaznia, në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Atletikës.
Garat që do të zhvillohen ditën e premte datë 17 maj dhe do të startojnë në orën 15.00 dhe do të zgjasin deri rreth orës 17.40. Pas përfundimit të tyre pritet të zhvillohet edhe ceremonia për nderimin e disa figurave të shquara të atletikës shkodrane në vite.
Garat e para që do të nisin në pistën e “Loro Boriçit” do të jenë ato 800 m si për femra ashtu edhe për meshkuj. Më pas në pistë do të zbresin atletët e 100 metrave, për t’i lënë vendin sfidave të 400 metrave.
Me emocione pritet gara e 200 metrave ku siç kemi thënë, do të tentohet të thyhet rekordi i saj pikërisht nga atleti i Vllaznisë Franko Burraj.
Ndërkohë në fund të aktivitetit do të zhvillohen garat e kërcimeve, fillimisht ai së gjati dhe më pas trehapëshi. Edhe këtu priten rezultate të larta dhe pse jo edhe rekord kombëtar nga Izmir Smajlaj.
© shkodrasport.com