Boksieri shqiptar Florian Marku fitoi dje titullin WBC Silver, duke mposhtur meksikanin Miguel Perra në stadiumin “Air Albania”, për sfidën që vlente për peshat super të lehta.
Në lidhje me këtë sukses të Markut, për Euronews ka folur edhe trajneri i Kombëtares shqiptare të boksit, Zef Gjoni. Trajneri ka ngritur pikëpyetje për kundërshtarin, duke treguar se në Shqipëri ka boksierë më të mirë se Marku, duke cekur Alban Beqirin apo Denis Nurjen.
“Floriani ka gjet sponsorë për t’i bërë publicitet, por ne kemi boksierë që sot janë në nivel më të mirë se Florian Marku, në Shqipëri, që janë Alban Beqiri dhe Denis Nurja. Janë specialist, janë një nivel më lartë se Marku.
Duke marrë parasysh që kundërshtari i Markut në renditjen e tij është i 30-të në Meksikë, ndërsa në botë është i 260, ku është konkurrenca, për çfarë titulli? Duhet të jetë në vendin e 1 ose të 2 e jo me të 260.
Kjo ndeshje lë për të dëshiruar. Unë nuk e di se ku ka konkurruar në cilën federatë, jam i paqartë. Nëse do të diskutohej ndeshja diku tjetër, do kishte shumë kritikë”, tha Gjoni./newsport/