Vetëm sulmi i ka mbetur Vllaznisë për të kompletuar skuadrën e sezonit të ri. Edhe afrimi i fundit, Gilman Lika, kur tha se Vllaznia ka nevojë vetëm për 2-3 afrime, me siguri ka pasur parasysh sulmin, që ka mbetur bosh.Kanë rinovuar thuajse të gjithë lojtarët e sezonit të fundit ditë më parë. Por po vonon disi rinovimi i portierit Selimaj dhe mesfushorëve Krymi e Bardulla.
Tifozët e Vllaznisë me të drejtë pyesin, pse? Në një komunikim për “VIP sport”, drejtori sportiv i klubit shkodran, Eugent Zeka, i pyetur për këtë çështje, me diplomaci u shpreh: “Të tre janë janë të mrekullueshëm dhe pjesë e pandarë e Vllaznisë. Nuk ka Vllazni për sezonin e ri pa të tre ata në fushë. Nuk di çfarë të them më. Si djem dhe si lojtarë janë të pazëvendësueshëm”.Me këto fjalë, drejtuesi i Vllaznisë kërkon të garantojë se rinovimi i Krymit, Bardullës dhe Selimajt është vetëm çështje orësh. Më parë kanë rinovuar Kalaja, Pjeshka, Tafili, Gurishta, Gocaj, Marku. Ka ikur kapiteni Shtubina dhe janë afruar Hasani dhe G.Lika. Kanë ardhur edhe shumë të tjerë për provë, por trajneri Cungu nuk i ka pëlqyer.