Kampionati Europian i boksit për 22 vjeçarët sot ka hyrë në ditët e tij të dytë.

Ndryshe nga Zeneli e Kajoshi që i kanë fituar ndeshjet e tyre të para në Europian, boksieri tjetër i kombëtares shqiptare, shkodrani Albert Kapaj, nuk ia ka dalë të triumfojë ndaj një kundërshtari nga Franca.

Pavarësisht se ai ka zhvilluar një ndeshje shumë të mirë, nuk ia ka dalë dot duke mbyllur kësisoj rrugëtimin e tij në këtë eveniment të rëndësishëm.

Por nga ana tjetër, Zeneli e Kajoshi do të vazhdojnë rrugëtimin e tyre me shpresë për të hyrë në zonën e medaljeve.

Pasditen e sotme, Zeneli do të ndeshet me gjermanin Hamsat Shadalov ndërsa Kajoshi do të ndeshet me suedezin Adam Chartoi.

Nëse arrijnë të fitojnë, dy boksierët e kombëtares tonë, do të kalojnë në tetëshe të Europianit.

Për t’u përmendur është fakti se Krenar Zeneli në ndeshjen e djeshme ka pësuar një dëmtim në vetull dhe vazhdimi i Kampionatit ka qenë në dyshim për të.

Por mbrëmë stafi mjekësor i Federatës Europiane të boksit ka bërë ndërhyrjen e duhur duke e bërë të gatshëm për vazhdimin e ndeshjeve dhe do të jetë sot në ring.
© shkodrasport.com