Nëse ky gol do të ishte realizuar në Premier League, Serie A, La Liga ose Bundesliga do të kishte përfunduar në faqet e para e të gjitha mediave sportive.

Do të flitej për disa javë dhe në fund të vitit, sipas të gjitha gjasave, do të kishte përfunduar në listën e UEFA-s për “Golin e Vitit”.

Për fat të keq për Manuel Stiefler dhe ekipin e Sandhausen, asnjë nga këto nuk do të jetë e mundur.

Sulmuesi gjerman shënoi fundjavën e kaluar një nga golat më të bukur të sezonit, me një lëvizje që të kujton në të gjitha aspektet “gjuajtjen e akrepit”, me të cilin shënoi vitin e kaluar Mhkytarian me ekipin e Manchester United.

Por jo çdo gjë që shkëlqen është ar. Në të vërtetë, përveç golit, nuk pati asgjë tjetër për të festuar.

Në ndeshjen në fjalë, Sandhausen, ekipi gjerman që luan në 2.Bundesliga dhe që e ka qendrën në jug-lindje të Gjermanisë, pavarësisht avantazhit të dyfishtë që në 25 minutat e para të ndeshjes, në fund pësuan humbje, me një Hinterseer që me trigolëshin e tij i dha fitoren Bochum.

Pavarësisht humbjes, megjithatë, Sandhausen mund të rrijë i qetë për momentin: vendi i dhjetë në renditje e shpëton për momentin nga rënia nga kategoria, edhe pse diferenca nga vendi 16 është vetëm tre pikë. /EDS/