Rexhildo Zeneli dhe Jurgen Uldedaj janë dy boksierët shqiptarë që janë përzgjedhur nga Federata Botërore e Boksit për t’iu bashkuar grupit prej 48 sportistesh që federata ndërkombëtare do të grumbullojë për një stërvitje të përbashkët para nisjes së kampionatit botëror, që do të zhvillohet në Sofje të Bullgarisë. Kjo është hera e parë që Shqipëria përzgjidhet për të qenë në elitën e boksit për të rinj. Dy talentet e boksit shqiptarë janë nisur mëngjesin e djeshëm drejt Bullgarisë së bashku me trajnerin e Kombëtares së boksit, Jozef Serrmi. Shqipëria do të përfaqësohet në kampionatin botëror të boksit që do të zhvillohet në muajin prill me 5 boksierë, të cilët do t’i bashkohen grupit pak para nisjes së aktivitetit më datë 15 prill në Sofje.
Botërori i boksit për të rinj merr edhe një vëmendje tjetër, pasi në këtë aktivitet do të përzgjidhen edhe pjesëmarrësit për Lojërat Olimpike për të rinj “Pekin 2014″, që do të zhvillohen në muajin korrik të këtij viti, ku Shqipëria synon që të marrë pjesë. Jurgen Uldedaj është vlerësuar nga profesionistët e boksit si boksieri më i talentuar për peshën 80 kg, ku edhe në kampionatin europian të boksit të zhvilluar gjatë vitit 2013 në Rusi, ka tërhequr vëmendjen e shumë trajnerëve të huaj, të cilët kanë shfaqur interes për 16- vjeçarin nga Lezha. Pasi është shpallur boksieri më i mirë i vitit 2013 në vendin tonë, ai ka marrë pjesë në kampionatin europian të boksit, kur për herë të parë në historinë e boksit shqiptar në këto 20 vite ka sjellë medalje bronzi në vendin tonë.
www.shkodrasport.com