Plot 40 ditë pa gjetur rrugën e rrjetës, por premton se do ta bëjë këtë pikërisht në një përballje shumë të rëndësishme si ajo kundër Skënderbeut, të dielën në “Loro Boriçi”. Sulmuesi kroat, Tomislav Bushiç, autor i 10 golave për Vllazninë deri më tani gjatë këtij kampionati, po vuan së tepërmi faktin se nuk po arrin të shënojë që prej ndeshjes së 15 shkurtit në transfertë kundër Kastriotit, ku shkodranët humbën 3-2. Në një bisedë për gazeten, kroati theksoi, ndër të tjera, se e parandien zhbllokimin në sfidën me kampionët në fuqi. Pavarësisht se nuk është ende në gjendjen e tij optimale si pasojë e dëmtimeve të shpeshta këtë periudhë, sulmuesi premton shpërthimin. “Natyrisht që një sulmues kërkon të shënojë sa më shumë.

Më ka munguar goli, kjo edhe për mungesë të fatit, por edhe më është mohuar një gol i rregullt nga ana e gjyqtarit në takimin e Kupës kundër Flamurtarit. Dëshira ime e përhershme është që të shënoj. Shpresoj të kthehem te goli që në takimin me Skënderbeun. Megjithatë, kjo nuk më shqetëson shumë në këtë periudhë. Ajo që na shqetëson të gjithëve, është që të arrijmë të marrim pikë dhe sigurisht të shënojmë ashtu si bëmë ndaj Laçit. Nuk ka rëndësi autori i golit, pasi neve tani na duhen pikët maksimale dhe ato arrihen vetëm nëse realizojmë, cilido lojtar qoftë”, – ka thënë fillimisht Bushiç. Më tej, ai vlerëson kundërshtarin e radhës, teksa kujton edhe dy humbjet që i ka shkaktuar Vllaznisë. “Luajmë ndaj ekipit më të mirë, që na ka mposhtur dy herë, por duhet t’i lëmë pas bilancet. Asgjë nuk është e pamundur”, – është shprehur sulmuesi. Në fund, Bushiç ka komentuar edhe ndryshimin në pankinë, që përkoi me fitoren në Laç. “Trajnerin Haxhiosmanoviç e kam njohur vetëm gjatë kësaj periudhe që më ka stërvitur. Ai ka arritur të ndryshojë deri në këto momente klimën në skuadër. Është një person që injekton besim te çdo lojtarë dhe për më tepër është shumë grintoz. Natyrisht ndryshimi i skemës, duke e bërë atë me dy sulmues, ka rezultuar shumë pozitiv, pasi skuadra do të jetë më afër portës dhe këtë e pamë edhe në Laç”, – përfundoi kroati.
Admir URUÇI