Vllaznia e nisi me objektivin e kualifikimit të Kupave të Europës, por “oreksi vjen duke ngrënë”. Shkodranët e kanë nisur shumë mirë sezonin e ri dhe renditen në vendin e parë pas 9 javësh, në kuotën e 19 pikëve.
Dalëngadalë në Shkodër ka nisur të përmendet fjala titull, por për të arritur deri atje, duhen lojtarë cilësorë. Merkato e dimrit është në prag dhe mësohet se sponsori Xhaferi ka bërë lëvizjen e parë.
Vangjel Zguro është objektivi i Vllaznisë në merkaton e dimrit. Abcnews.al e kontaktoi mbrojtësin nga Pogradeci dhe ai i pohoi tratativat, duke shtuar se nuk është mbyllur asgjë.
Afrimi i Zguros do të ishte një lëvizje shumë cilësore në merkato. Anësori i majtë aktualisht luan në SHBA te ekipi i Tulsa, që militon në ligën e dytë për nga rëndësia në SHBA dhe po bën shumë mirë.
Përtej Atlantikut, 27-vjeçari është aktivizuar edhe me Red Wolves, ekipi i ligës së tretë. Në Shqipëri Zguro e ka nisur te Pogradeci, për të kaluar më pas në ekipe si Kamza, Luftëtari e Kukësi në Superiore. Me verilindorët Zguro ka fituar një Kupë të Shqipërisë./abcnews/