Vllaznia e mbylli javën e 10-të të kampionatit me një barazim 2-2 kundër Erzenit. Rezultat që nuk la askënd të kënaqur, kjo pasi kuqeblutë ishin në avantazhin e dy golave. Dhe u arritën në fund nga shijakasit që morën një pikë plot meritë. Shkodranë madje nuk arritën të rikuperonin sa duhet edhe nga humbja e Partizanit.
Por dueli i fundjavës kishte edhe gjërat e veta pozitive. Dhe kjo ishte zhbllokimi i dy prej elementëve të sulmit shkodran. Fjala është për Ante Aralica, që erdhi nga stoli për të shënuar golin e parë për këtë edicion. Madje u duk sikur kroati hoqi një “barrë” të rëndë nga supet, duke qenë se “shpërtheu” në festë për rrjetën.
Gjithashtu golin për herë të parë për këtë sezon gjeti edhe Esat Mala. Madje për prizrenasin ky ishte goli i parë në karrierë me fanellën e Vllaznisë, e patjetër është edhe më i veçantë. Pavarësisht se Mala nuk është një sulmues, ai luan në krahët e sulmit dhe sigurisht që goli është shumë pozitiv edhe për të e shpërblen performancat e mira të 24-vjeçarit.
Këto gola duket se zhbllokojnë disi fazën sulmuese të kuqebluve, e pikërisht njerëzit nga të cilët pritet zgjidhja e ndeshjeve. Rezultati kundër shijakasve është i papranueshëm, por duke parë se disa futbollistë po vijnë në formën e tyre më të mirë, shpresat për të shikuar një Vllazni më të fortë në javët në vijim janë të mëdha.
Endri ÇINARI