Mjeshtri i Madh i Sportit, Hysen Zmijani, është i mendimit se Vllaznia duhet të arrijë të bëjë ndryshimin në kampionat. Ndërsa Kupën e shikon si mundësinë më të mirë për të sjellë trofeun në Shkodër. Mungesa profesionalizmi dhe rënia fizike duket se kanë sjellë edhe zbritjen e Vllaznisë në vendin e dytë.

Gjithsesi, ai beson te rritja në lojë e skuadrës. Duke folur për gjobat e vendosura, ishmbrojtësi i Vllaznisë dhe Kombëtares, Hysen Zmijani, shprehet në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, se është një shenjë që do ta detyrojë ekipin të reflektojë.

Si e shikoni Hysen Zmijani situatën aktuale te Vllaznia?

Që do të kishte një rënie, kjo as që diskutohej, pasi i ndodh çdo ekipi. Por, që të ishte kaq e gjatë, kjo është diçka tjetër. 9 javë dhe vetëm 7 pikë duket diçka jo normale.

Çfarë mungoi, sipas jush?

Vllaznia që në fillim nuk ishte programuar për të qenë kaq lart, por ishte merita e të gjithëve që shkuan deri në këto pozicione. Vetëkënaqësia, kalimi në eufori, gëzimi para kohe dhe një mendje që iu mbush se kjo Vllazni do të jetë e vështirë për t’u mundur, dhanë ndikimin e vet.

Për mua lojtarët nuk u treguan profesionistë. Vllaznia ndien mungesën e një lideri apo lojtarë që të tregojnë se dinë të marrin përsipër ekipin në situata të tilla. Mungesa e këtij profesionalizmi, gjithashtu edhe një farë rënieje fizike ka sjellë edhe këtë rënie për mendimin tim. Megjithatë, ajo “fjetje mbi dafina”, them t’i ketë bërë mirë lojtarëve dhe të zgjohen.

A mund të rrezikojë Vllaznia mospjesëmarrjen në Kupat e Europës?

Ekipi dhe trajneri tani duhet që të reflektoj. Ato duhet të tregojnë karakter dhe forcë në vijim. Këtu dallohen drejtuesit e skuadra në tërësinë e vet. Është kollaj të kesh harmoni dhe të mos paraqitet asnjë problem rrogash apo probleme të tjera kur rezultatet janë.

Edhe ne s’kishim gojë të flisnim për asgjë kur rezultatet ishin prezente. Kur ato mungojnë atëherë dalin edhe problemet nga më të ndryshmet. Unë shpresoj që ekipi do të gjejë forca dhe të reflektojë. Nëse s’ka reagim të shpejtë mund të rrezikojmë seriozisht edhe Europën.

A mund të jenë mundësitë europiane më të shumta përmes Kupës?

Kampionati është i gjatë. Në Kupë janë mundësitë më të mëdha se janë vetëm dy ndeshje. Ndoshta kjo është më e mundshme në këto momente. Megjithatë, Vllaznia duhet të bëjë më shumë, gjithçka është në dorën e tyre.

Klubi vendosi gjoba për të gjithë, duke filluar që nga trajneri. Si e vlerësoni këtë gjë?

Mendoj se ishte një vendim që duhej, madje duhej marrë më herët. E thashë edhe më lart, në skuadër kishte një vetëkënaqësi. Drejtuesit dhe lojtarët duhet që të tregojnë tani një vlerë më shumë. Gjoba nuk duhet marrë si një dënim, por si një gjë që duhet të motivoj lojtarët e stafin teknik. Edhe vetë tekniku duhet të reflektoj për këtë dhe jo ta keqinterpretojë atë.