Renato Arapi i thotë stop futbollit të luajtur. Pas 18 vitesh në futbollin profesionist, kapiteni kampion i Teutës ka vendosur të tërhiqet.

“Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se sot në stërvitjen e Teutës, mbrojtësi 35-vjeçar është përshëndetur me shokët e skuadrës.

Ka qenë një vendim ndoshta i papritur, por që vetë Arapi e ka menduar gjatë dhe pas një sezoni fantastik me skuadrën e zemrës, ka vendosur të varë këpucët në gozhdë.

Arapi e ka nisur karrierën me moshat e Teutës, për të kaluar më pas te Dinamo ku debutoi në Superiore në sezonin 2002-2003.

Mbrojtësi fitoi 6 tituj kampionë radhazi me Skënderbeun, si dhe një me Teutën si kapiten. Klubi durrsak dhe vetë lojtari pritet të njoftojnë në orët e ardhshme tërheqjen nga futbolli të Arapit.