Paraditen e djeshme në Qendrën e ekipeve kombëtare në Kamëz u zhvillua një seleksionim i futbollistëve më të mirë të kampionatit shqiptar, për kombëtaren U19. Nga Akademia Vllaznia ishin thirrur plot 8 futbollistë dhe pikërisht:
Kledi Paloka, Enes Papaj, Paolo Pjeshka, Geralb Smajli, Mersian Muliu, Ardit Nikaj, Leonard Kaçaj dhe Antonio Delaj.
Në lidhje me këtë grumbullim të tetë lojtarëve të ekipit të tij, trajneri Luan Zmijani do të shprehej: “Sigurisht që për çdo
trajner është kënaqësi kur sheh që lojtarët të cilët ai stërvit, grumbullohen në të tilla seleksionime.
Madje, unë mund të thoja se pjesë e këtij seleksionimi duhej të ishin edhe futbollistë të tjerë si Elbasani, Spahija, Alivoda, apo dhe Filipi që ka qenë i dëmtuar, sepse janë lojtarë që kanë treguar vlera si në ndeshjet e kampionatit ashtu edhe në ndeshjet e Kupës së Shqipërisë.
E rëndësishme është që të gjithë lojtarët e ekipit të Vllaznisë janë nën vëzhgimin e përfaqësuesve të Federatës dhe unë jam në kontakte të vazhdueshme me përgjegjësin e seleksionimeve për ekipet kombëtare i cili është gjithnjë i interesuar për gjendjen dhe formën e gjithësecilit lojtar.
Natyrisht që futbollistët e Vllaznia U19 duhet të vazhdojnë të punojnë fort, jo vetëm për të arritur rezultate pozitive me ekipin, por mbi të gjitha për të qenë të gatshëm edhe për ekipin e parë të Vllaznisë, por edhe për ekipet kombëtare dhe unë besoj se shumë prej tyre kanë një të ardhme të mirë”