Denis Zmijani, trajneri i Akademisë Vllaznia, është i mendimit se shkodranët po vuajnë shumë psikologjikisht. Zmijani tregoi disa nga ato probleme që po kalohet te Vllaznia, në këndvështrimin e tij.

Ai shprehet se Kastrioti e meritoi fitoren në Shkodër, ndërsa theksoi se pret shumë më tepër prej mesfushorit kosovar, Liridon Latifi.

“Me thënë të drejtën, në ndeshjen ndaj Kastriotit, u zhgënjyem, sepse ishte momenti më i mirë për të bërë kthesën, si në lojë, edhe në rezultate. Poashtu, edhe në psikologjinë e ekipit, sepse dihet se prej kohësh vuajmë.

Ishin shumë rrethana, duke filluar që nga largimi i trajnerit Brdariç, te pakënaqësitë që ishin me gjyqtarët, pra ishte momenti i duhur për të marrë një trepikësh, por mbi të gjitha për të filluar të rikthehet psikologjia e shëndoshë e ekipit.

Pra, vetëbesimi te lojtarët dhe pas golit të parë u duk sikur po ndryshon diçka për mirë dhe ishte gjynah që nuk shfrytëzuam dhe nuk patëm forcë për të realizuar golin e dytë, sepse Kastrioti tentoi disa herë për të dalë dhe la hapësira më tepër mbrapa dhe ne nuk patëm forcë domethënë për të reaguar dhe për të dhënë golin e sigurisë, që ishte goli i dytë.

Ndërkohë, pastaj shfaqëm problemet edhe tek ekuilibri i skuadrës që ishin edhe probleme fizike, që mund të kenë të bëjnë edhe me takimet që kemi pasur me Partizanin.

Ngarkesa fizike plus psikologjike edhe presioni që kanë pasur gjatë gjithë kësaj jave, u bënë shumë gjëra të këqija bashkë dhe fatkeqësisht asgjë nuk ka vodhi Kastriotit. Do të thoja se e meritoi shumë fitoren, por Vllaznia e humbi sot.

Realisht, për largimin e Brdariç, ata që janë aty afër, e dinë më mirë. Gjithmonë është ndryshe të bësh një largim, është ndryshe të bësh një ndryshim. Shpesh herë, trajtohet si një ndryshim në skuadër largimi i një trajnerit.

Në kushtet ku ishim, u largua dikush dhe nuk erdhi askush. Pra, nuk është se kishim një zëvëndësim. Patjetër, profesor Plori ka qenë afër aty. E di gjendjen e ekipit.

I njeh shumë mirë lojtarët dhe gjithçka tjetër, por tani mbrapa nuk është edhe shumë fair për të folur, sepse ne jemi të gjithë kolegë, shokë, miq dhe ku e merr të vijë dita që një shkodran të ketë sukses me Vllazninë dhe të japë maksimumin aty. Siç kemi dëshirë për lojtarët, kemi dëshirë për t’u promovuar edhe trajnerët, sepse nesër pas nesër, duhet thënë të vërtetën që edhe siç lojtarët, sepse shpesh herë nuk e prekim këtë temë, por duke qenë edhe vetë në rolin e trajnerit dhe vjen koha vit pas vitit dhe e shohim atë gja, si lojtarët, edhe trajnerët shkodranë, gjithmonë janë bërë jashtë të suksesshëm.

Janë bërë me Kukësin, janë bërë me Laçin, janë bërë me Tiranën, janë bërë me Partizanin, me Teutën, historikisht jashtë Shkodrës. Pra, janë pafund për t’i përmendur.

Dy rastet e fundit janë profesor Cungu dhe profesor Martini. Eshtë e vërtetë ajo që thuhet jo për t’u justifikuar, por ka shumë presion në Shkodër, si nga ana e tifozëve, si nga ana edhe e vetë klimës.

Nuk është puna vetëm tifozët. Tifozët në gjithë botën sa do të jenë pak apo shumë, kanë kërkesën e vet, por edhe vetë klima.

Problemi që shihet realisht është, sepse atë presionin dhe gjendjen psikologjike që kërkohet më shumë janë duke na e vuajtur këta lojtarët e huaj, që ata nuk duhet ta vuajnë këtë psikologjinë. Duhet ta vuajnë shkodranët, por shkodranët ata pak që janë në formacion, janë duke u paraqitur mirë për mendimin tim.

Ajo që pritet më tepër, është ajo që në pjesën e parë ndaj Kastriotit, prisja prej Latifit, që është një lojtar që ka shumë vlera. Të gjithë biem dakord.

Ai është një ndër lojtarët më të mirë të Superiores, por pjesën e parë dy-tre raste, dukej se ishte i pa përqëndruar. Pastaj, pjesën e dytë filloi ta rregullojë, që na tregoi, që nuk është diçka fizike, por ishte psikologjike, por lojtarë të kalibrit të tillë, me thënë të drejtën, presim një impenjim dhe dëshirë më të madhe, sepse po të ulemi në letër të shohim lojtarët e Kastriotit me lojtarët e Vllaznisë kanë diferencë, them unë.

Kanë diferencë në letër, kanë diferencë edhe në fushë. Kështu që, anën psikologjike dhe fizike, që për mua pas minutës së 65-të u luhat shumë, sepse skuadra u zgjat në fushë dhe sikur u nda fusha në dy grupe.

Mbrojtësit nuk po dilnin fare në sulm, sepse po vuanin kundërsulmet e Kastriotit dhe gjithçka shkoi keq për Vllazninë për fatin tonë të keq”,-tha gjatë prononcimit të tij, trajneri i Akademisë Vllaznia, Denis Zmijani.

Maringlen ZHIVANI