Bojan Zogoviç ishte pa dyshim heroi i kual ifikimit të Vllaznisë në ndeshjen ndaj Partizanit. Portieri malazez priti penalltinë e parë të goditur nga Skuka dhe më pas kuqeblutë u treguan të saktë nga pika e bardhë. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Zogoviç ka treguar për emocionet e përjetuara në mbrëmjen e së mërkurës, por gjithashtu besimin që ka se Vllaznia do ta fitojë sërish Kupën.
Portieri komentoi edhe ndeshjen e radhës me Teutën, ndërsa është i bindur se kualifikimi në finale e ka ndryshuar komplet atmosferën. Ky është sezoni i dytë radhazi që malazezi luan për kuqeblutë, duke qenë një pikë kyçe. Për Zogoviçin, sigurimi i pjesëmarrjes në Europë duhet të kalojë përmes kampionatit, e më pas të mendohet për finalen me Laçin.
Bojan, u bëtë heroi i Vllaznisë nga 11-metërshat. E prisnit që të shkonte ashtu?
Po, ishte shumë i vështirë ky kualifikim. Megjithatë, mendoj se e merituam të jemi në finale. Ishte një emocion i madh, pasi e patëm të vështirë dhe ky është një moment i mrekullueshëm për ne. E filluam jo mirë ndeshjen, por fundi ishte i ëmbël.
Kur mbaruan 120 minuta pa fitues, çfarë menduat?
Isha i fokusuar në punën time. Qëllimi im nuk ishte thjesht të isha njeriu vendimtar që klubi të hynte në finale. Dua të them se është e rëndësishme që Vllaznia të jetë në finale dhe jo kush e vendos atë. Merita është e të gjithëve, pasi dhanë gjithçka për të qenë në finale.
Ndalët një prej sulmuesve kryesorë të Partizanit si Skuka…
Sinqerisht kisha një ndjenjë të mirë. Isha i sigurt se do të arrija të prisja të paktën një penallti. Pothuajse i shkova edhe kapjes së një tjetër 11- metërshi. Jam i kënaqur se si shkuan gjërat.
Në fund presidenti Alban Xhaferi erdhi dhe jua puthi duart…
(qesh) Ishte diçka e momentit prej tij. E vlerësova shumë për atë që bëri. Ishte një shaka shumë e bukur për mua. Presidenti ka një marrëdhënie të mirë me lojtarët dhe sigurisht kjo fitore ishte shumë e rëndësishme për të dhe të gjithë ne.
Në finale ju pret Laçi, besoni se Kupa vjen sërish në Shkodër?
Sigurisht që do të jetë një ndeshje e vështirë. Laçi është një ekip i mirë, por mendoj se kemi një shans dhe do të bëjmë maksimumin për të sjellë një tjetër trofe në Shkodër.
Sa ka ndryshuar situata tashmë në skuadër pas këtij kualifikimi?
Na duhej një fitore dhe me siguri që hyrja në finale do të na japë një motiv për të qenë më të mirë edhe në kampionat.
Sa e kapshme është zona europine përmes kampionatit?
Ky është detyrimi ynë dhe nga ndeshja e radhës duhet të bëjmë mirë për t’u ngjitur në tabelë. Mendoj se shanset janë të mëdha.
Sot do luani ndaj Teutës në transfertë, çfarë ndeshjeje prisni?
Nuk do të jetë e lehtë, por mendoj se kualifikimi në Kupë na ngriti psikologjikisht dhe tani do të luajmë në maksimum kundër Teutës. Sigurisht që pres një rezultat pozitiv, që është fitorja.