Vllaznia U19 e këtij sezoni, është një ekip shumë interesant dhe në të njëjtën kohë konkurruese, si një nga pretendentët për fitimin e titullit kampion.

Ajo që të bën përshtypje është se trajneri Vioresin Sinani ka bërë një gërshëtim mjaft të mirë të elementit aktual, me atë që ka qenë edhe vjet pjesë e ekipit të të rinjve.

Nga ata që ka spikatur me ekipin U19, është edhe portieri Leonard Kaçaj. 18-vjeçari konsiderohet me shumë të ardhme dhe ashtu si sezonin e kaluar, e ka treguar veten edhe në këtë sezon.

Aktualisht, ai po vuan nga një dëmtim, megjithatë pritet që së shpejti të kthehet në fushën e lojës. Në fakt, Kaçaj ka një trup shumë të bukur, është i gjatë dhe ka të dhëna mjaft të mira për t’u bërë një portier cilësor.

Megjithatë, përveç të gjitha këtyre gjërave, 18-vjeçari punon shumë në stërvitje, ç’ka e ndihmon atë të rritet gradualisht. Ndoshta, sezoni aktual mund të jetë ai i konfirmimit të tij si portier cilësor dhe në të ardhmen Leonard Kaçaj i ka të gjitha mundësitë t’i bëjë të gjithë të flasin për të.
Maringlen ZHIVANI