Rekordmeni Armir Grimaj. Kështu mund të konsiderohet sot trajneri i Shqipërisë në futboll për femra, ndërsa kombëtarja e drejtuar prej tij të martën në mesditë jo vetëm që ka marrë fitoren e tretë në kualifikueset e Kampionatit Botëror “Australi&Zelandë e Re 2023”, por ka regjistruar suksesin më të thellë në transfertë.

Grimaj ka ardhur në krye të kësaj kombëtareje në prill 2016 e që atëherë rezultatet surprizë nuk kanë munguar për këtë përfaqësuese. Në kualifikueset e Kampionatit Botëror “Francë 2019” bëri “bujë” me barazimin në transfertë 1-1 në Poloni e më pas me fitoren ndaj Bjellorusisë 1-0.

Në kualifikueset e Kampionatit Europian “Angli 2022” dy fitore me Qipron, 2-0 në transfertë e 4-0 në Shkodër e këtu nis për herë të parë lënia e kundërshtarëve nga pas në renditje. E sot vjen me tre fitore në kualifikueset e Kampionatit Botëror “Australi& Zelandë e Re 2023”, suksese që janë rekorde.

Regjistron fitoren më të thellë shtëpiake në të gjithë historinë e pjesëmarrjes së Shqipërisë për femra në arenën ndërkombëtare, 5-0 ndaj Armenisë, e po kështu dhe suksesin më të thellë në transfertë, 4-0 ndaj Armenisë.

Pa harruar fitoren po në transfertë, 3-1 me Kosovën e mundet të kishte dhe një të katërt nëse nuk do të kishte ndodhur barazimi 1-1 po me Kosovën në “Elbasan Arena”. Një kombëtare me shumë pozitivitet, që tanimë, edhe duke patur kombëtaret e moshave, do të duhet të tentojë edhe më shumë. Jo vetëm dy ekipe nga pas në fazën e grupeve në arenën ndërkombëtare.