Donis Avdijaj vazhdon të jetë një futbollist që nuk mëson nga gabimet dhe tashmë ka marrë ndëshkimin e radhës, ndëshkim që mund të konsiderohet më i rëndë që ka marrë ndonjëherë. Ai është përjashtuar përfundimisht nga skuadra e Uillem II në kampionatin holandez dhe do të jetë një futbollist i lirë për pjesën e mbetur të sezonit.

Klubi holandez nëpërmjet një postimi në sajtin zyrtar, ka bërë me dije se Avdijaj do të largohet për shkak se pas janarit nuk ka mundur të përshtatet me pjesën tjetër të skuadrës dhe për këtë arsye do të largohet.

Pak kohë më parë, ish-sulmuesi i Shalkes me klauzolë 49 milionë euro, u dënua nga Uillem për shkak se kishte shkuar në Gjermani pa leje të klubit, duke lënë grumbullimin përgjysmë.

“Donis Avdijaj largohet nga Uillem II. Klubi dhe sulmuesi 22-vjjecar kanë vendosur që të prishin marrëveshjen në mënyrë të menjëhershme. Avdijaj erdhi nga Shalke verën e kaluar dhe në fazën e parë të sezonit ka shënuar 8 gola në 18 ndeshje.

Pas fazës përgatitore në Spanjë, ai nuk ka arritur të përshtatet mirë dhe për këtë arsye është larguar. Donis, të urojmë fat në karrierën tënde”, shkruhej në njoftimin e klubit. /VipSport/