Nga Agron Isufi

Shkëlqësia juaj, Zoti president i Republikës Ilir Meta. Për dijeni, ky në foto është FERIT RRAGAMI, futbollisti më polivalent që ka pasur futbolli shqiptar në vitet 1977-90. Unë të kam pritur që po vjne në 70-vjetorin e Teatrit “Migjeni”, që e nderove Shkodrën me titullin “Nderi i Kombit”.

Kisha folur me sekretarin tënd të sportit, të madhin volejbollist, Leonard Tasen kur dekorove në 100 vjetor të klubit më të vjetër, Vllazninë, në Teatrin Migjeni. Mbeta i habitur, shumë tituj dhe për futbollistët shkodranë, por të gjithë në sallë u habitëm se si ka mundësi mos të marrë titull “Mjeshtër i madh”, Ferit Rragami.

Prandaj kisha dëshirë që të dal përpara në Shkodër për të të thënë: “Zoti president, si sportist që ke qenë dhe e ke ndjekur futbollin, kur ky futbollist ka luajtur me Vllazninë e Partizanin, pse mos t’i jepet ky titull i lartë që e presin me shumë dëshirë të gjithë tifozët e Vllaznisë dhe Partizanit.

U gëzova që dje morën titullin e lartë, Mjeshtër i Madh, Faruk Sejdini, Gani Merja, Eljaz Çeço dhe Skënder Gega, shumë mirë, e meritojnë. Po t’i pyesësh vetë këta futbollistë: A thua do të ishte edhe Ferit Rragami atë ditë në presidencë? Të gjithë njëzëri do të kishin thënë: “Po, si nuk e meriton Ujku i futbollit të jenë para nesh për këtë titull”.

Zoti president, për dijeni futbollisti Ferit Rragami ka fituar 5 kupa me Partizanin e Vllazninë, 3 kampionate me Vllazninë e Partizanin, kampion Ballkani me Shpresat e Shqipërisë. Mjeshtër Sport, Mjeshtër i Merituar, Legjenda e futbollit shqiptar, Legjenda e futbollit shkodran, lojtar i Kombëtares në vitet 1980-85′, 15 ndeshje.

Pak kush ka marrë sa ky futbollist, që në vitin 1978, kur doli kampion Vllaznia. Aty ka ndërhyrë me forcë trajneri i Partizanit, i madhi Loro Boriçi duke thënë se donte patjetër te Partizani lojtarin e Vllaznisë, Ferit Rragami. Fitoi jo pak tituj me ujkun që për 3 vite arriti 3 trofe.

Zoti president… Ky është shkrimi i dytë që po bëj për këtë futbollist të madh që ka pasur futbolli shqiptar. Çoje nderin e mundin e këtij futbollisti në vend, që i takon para shumë titujve që kanë dhënë të tjerët, para teje i nderuar Ilir Meta. Mbetemi me shpresë, ne tifozët shkodranë që e kemi pasur idhull këtë futbollist, Ferit Rragamin.