Bajern Mynihu ka nisur nga puna për përgatitjet e sezonit tjetër, kur pritet që të ketë shumë ndryshime në skuadër. Fillimisht, drejtuesit kanë menduar të largojnë futbollistët të cilët nuk do të jenë më në plane për sezonin tjetër dhe kryesisht ata në moshë më të madhe.
Pak kohë më parë, u njoftua se Roben do të largohej në verë, ndërkohë që sot është njoftuar për tjetër largim. Është radha e Frank Riberi për t’i dhënë lamtumirën skuadrës me të cilën luajti për 12 vjet. Francezi që arriti të fitonte gjithçka me Bajernin, do të jetë një lojtar i lirë që nga merkatoja e verës.
Lajmi u bë i ditur nga vetë faqja zyrtare e klubit bavarez që njoftoi se Riberi nuk do të rinovojë kontratën në përfundim të sezonit. Vetë Riberi, u shpreh se nuk është diçka e lehtë dhe se kurrë nuk mund të harrohen kujtimet.
“Kur erdha te Bajerni, m’u realizua një ëndërr dhe tani nuk është e lehtë që të largohem dhe nuk duhet të harrojmë kutjimet që kemi”, tha Riberi. /VipSport/