Me fitoren e sotme ndaj Shirokës në shifrat 3-0, Besëlidhja edhe zyrtarisht është tashmë pjesë e kategorisë së parë në sezonin e ardhshëm. Një sukses mëse i merituar i skuadrës së drejtuar nga trajneri shkodran Elvis Plori e cila ka bërë një sezon të shkëlqyer duke ia dalë me sukses të arrijë objektivin e vënë nga drejtuesit e klubit.
Ndeshja e sotme ndaj Shirokës është fituar pa shumë vështirësi me golat e shënuar nga Ardit Hila, Akansase dhe shkodrani Flavio Fusha. Si rrjedhojë kur kanë mbetur edhe 90 minuta deri në fund të kampionatit të rregullt, duke qenëv 6 pikë larg rivalit më të afërt, lezhjanët ia dalin të ngjiten një kategori më lart.
Pas përfundimit të ndeshjes, në ambientet e stadiumit të Lezhës ka patur një festë të madhe sepse skuadra e tyre e zemrës rikthehet pas disa vitesh mungesë sërish në kategorinë e parë.
Kuptohet që një meritë shumë të madhe në këtë sukses kanë të gjithë drejtuesit e klubit e veçanërisht presidenti Pjerin Fushaj i cili me marrjen e këtij posti në fillim të sezonit solli shpresë tek Besëlidhja dhe ia doli t’i gëzonte të gjithë.
Megjithatë synimet e tij janë shumë ambicioze dhe gjasat janë që në sezonin e ri të ndërtojnë një skuadër edhe më të fortë, e cila të jetë pretendente për ngjitjen në Superligë sepse kështu janë shprehur që në fillimin e nisjes së këtij projekti, presidenti Fushaj dhe kryebashkiaku Ndreu.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


