I kanë mjaftuar dy ditë në Shkodër dhe bullgari Nikolay Gospodinov është bindur të marrë përsipër drejtimin e ekipit të basketbollit të meshkujve të Vllaznisë.

Prezantimi i tij zyrtar para mediave do të bëhet sonte në orën 21.00 në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” nga ana e presidentit të shoqatës së basketbollit të Vllaznisë Alban Xhaferi.

Gjatë këtyre dy ditëve të qëndrimit në Shkodër, 43 vjeçari bullgari ka parë infrastrukturën sportive, ka takuar drejtuesit e SK Vllaznia, ato të Universitetit të Shkodrës, ndërkohë që ka parë edhe disa seanca stërvitore të ekipit.

Ardhja e Gospodinov në Shkodër në fakt nuk do të shërbejë vetëm për punën me ekipin e parë të Vllaznisë, por edhe për ngritjen e Akademisë së basketbollit, një projekt që u hodh edhe pak muaj më parë, por duket se tani ka ardhur koha për ta vënë në zbatim.

Objektivi i presidentit Xhaferi është afatgjatë dhe pikësynimi i tij është jo vetëm rikthimi i Vllaznisë sërish si pretendente për fitimin e trofeve por edhe për të ndërtuar një bazament të sigurtë për të ardhmen.
© shkodrasport.com