Bundesliga rifillon përsëri dhe tani nuk është më nje hipotezë, por një datë fikse e caktuar edhe me miratimin e shtetit gjerman. Kryeministri i Bavarisë, Markus Soder konfirmoi për BILD se kishte një akord për fillimin e kampionatit më 9 maj, por sigurisht me rregulla shumë strikte.

Edhe Ministri i Shëndetësisë, Jens Spahn, tha se gjithçka mund të realizohej me sukses. “Në parim, ndeshjet pa tifozë janë sigurisht të mundshme. Është thelbësore që rreziku i infeksionit të minimizohet. Kjo do të sillte një situatë më normale për miliona tifozë futbolli duke filluar nga data 9 maj, edhe pse me stadium të boshatisur”, tha ai.

Ndërkohë, Soder bëri të qartë se tifozët për momentin duhej ta harronin se si ishte të shihnin ndeshje brenda stadiumeve. “Janë të pamendueshme ndeshjet me pjesëmarrjen e tifozëve. Edhe ndeshjet pa tifozë për momentin janë një rrezik shumë i madh”, pranoi ai.

Ndërkohë, klubet janë vënë në lëvizje që të ndalojnë grumbullimet e tifozëve pranë staidumeve, siç kishin propozuar shumë tifozeri të organizuara. “Jam i bindur që tifozët tanë nuk do të mblidhen. Ne jo vetëm do ua kërkojmë që të mos e bëjnë, por do të dimë si ta parandalojmë këtë gjë”, tha shefi ekzekutiv i Bajern Mynih, Karl Hainz Rumenige. /vipsport/