Pavarësisht shumë zërave për largim nga Vllaznia, mbrojtësi rumun Dan Ignat do të vazhdojë të jetë pjesë e kësaj skuadre deri në fund të këtij sezoni, për të zbatuar kësisoj kontratën që ka me kuqeblutë.

Ai ka disa ditë që ka mbërritur në Shkodër dhe pas shumë bisedimeve me drejtuesit e klubit, është vendosur që Ignat të vazhdojë të luajë me kuqeblutë.

Për këtë arsye, mbrojtësi me shumë përvojë dhe njëri nga më të mirët e skuadrës në gjysmën e parë të sezonit, nuk ka humbur fare kohe dhe paraditen e sotme i është bashkuar ekipit në stërvitje.

Ka qenë mbrojtësi Gurishta, ai që ka postuar sot një foto me Ignat nga dhomat e zhveshjes së Vllaznisë, pikërisht para fillimit të seancës stërvitore, në të cilën ka qenë i pranishëm edhe mbrojtësi rumun.

Padyshim që ky është një lajm i mirë edhe për trajnerin Lika i cili e ka vlerësuar shumë këtë lojtar dhe e ka konsideruar pjesë të rëndësishme të skuadrës.

Ndërkohë tashmë mbetet për t’u parë gjendja fizike e Ignat për të përcaktuar nëse do t’i bashkohet skuadrës që në ndeshjen e së shtunës ndaj Erzenit apo jo.
© shkodrasport.com