Shkruar nga Endri ÇINARI
Në prag të ndeshjes së parë të “Final 4” ndaj Dinamo, te Vllaznia duket se gjithçka është drejt finalizimit sa i përket formacionit që do të zbresë në fushë. Trajneri Edi Martini ka thuajse të gjithë futbollistët në dispozicion dhe gjatë ditëve të fundit ka punuar me një grup të plotë, çka i ka dhënë mundësinë të përgatisë skuadrën sipas ideve të tij. Nga sa është parë në seancat stërvitore, stafi teknik duket i bindur për zgjedhjet që do të bëhen nga minuta e parë.
Në portë nuk priten ndryshime, me Leon Pohls që do të jetë sërish titullar. Portieri gjerman ka qenë një nga futbollistët më të qëndrueshëm të skuadrës gjatë sezonit dhe pritet të marrë besimin edhe në një nga ndeshjet më të rëndësishme të kampionatit. Para tij do të vendoset reparti mbrojtës që Martini ka përdorur më shpesh gjatë këtij edicioni.
Në qendër të mbrojtjes pritet të aktivizohen Erdenis Gurishta, Gjini dhe Bajrami. Treshja ka luajtur në pjesën më të madhe të sezonit dhe duket se trajneri nuk ka ndërmend të eksperimentojë në këtë repart. Koordinimi mes tyre ka qenë një nga pikat ku është mbështetur Vllaznia në shumë ndeshje dhe edhe ndaj Dinamos pritet të ruhet e njëjta strukturë.
Në mesfushë mbetet vetëm një balotazh. Qato dhe Dros janë në garë për një fanellë titullari, me teknikun që pritet të vendosë vetëm në momentet e fundit se cili prej tyre do ta nisë nga fillimi. Ndërkohë, Kallaku dhe Krymi duken të sigurt për një vend në formacion, ndërsa në krahë pritet të aktivizohen Mala në të djathtë dhe Jago në të majtë. Edhe në këtë repart, stafi teknik synon të ruajë ekuilibrin mes fazës mbrojtëse dhe mbështetjes për sulmin.
Reparti ofensiv nuk ka shumë dyshime. Bekim Balaj pritet të jetë pika kryesore e sulmit shkodran, me kapitenin që do të marrë përsipër peshën kryesore në fazën finale të kampionatit. Sulmuesi shtatlartë do të mbështetet nga Dodaj, i cili pritet të lëvizë më shumë pranë tij për të krijuar hapësira dhe për të rritur presionin ndaj mbrojtjes kundërshtare. Te Vllaznia besojnë se eksperienca dhe pesha e Balajt mund të jenë një faktor i rëndësishëm në këtë përballje të parë ndaj Dinamos.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


