Besëlidhja ka bërë goditjen e madhe në merkaton e kësaj vere duke rikthyer ish-kapitenin e saj. Bëhet fjalë për shkodrain Klejdi Dibra. Ai pas një karriere të gjatë me fanellën e Besëlidhjes, në sezonin e fundit kontribuoi për Burrelin.

Mbrojtësi shkodran, Kledi Dibra, ka shërbyer 10 vjet radhazi si qendërmbrojtës i Besëlidhjes, duke mbajtur për shumë sezone edhe shiritin e kapitenit. Të shtunën e kaluar ai pas bisedimesh të gjata, arriti akordin me presidentin Gjok Noka dhe hodhi firmën në kontratë. Këtë e bëri të ditur për “Panorama Sport” vetë mbrojtësi shkodran, Klejdi Dibra.

“Pas dhjetë vitesh radhazi, në verën e shkuar u ndava nga Besëlidhja duke veshur fanellën e Burrelit. Merkatot e bëjnë punën e tyre, por zemra ime ka rrahur gjithmonë lezhjançe, ndaj edhe nuk e pata fare të vështirë për t’u rikthyer në shtëpinë e vjetër. Karrierën time si futbollist profesionist deri tani pothuajse e kam këtu në Lezhë.

Kam milituar me fanellën e Besëlidhjes 19 vjeç dhe jam larguar nga këtu 29 vjeç, për t’u rikthyer përsëri pas një sezoni që e mbylla te Burreli. Me Besëlidhjën i kam kaluar thuajse të gjitha emocionet e një futbollisti, si ato pozitivet, ashtu edhe ato negativet, ndaj edhe jam mjaft i lumtur që u riktheva këtu.

Kam shumë besim se Besëlidhja e këtij sezoni do të jetë ekipi pretendent për ngjitje, pavarësisht se grupi i ekipeve është me histori elitare dhe rregullat shumë të rrepta”, u shpreh Dibra për “Panorama Sport”.