Migen Memelli është i paprekshëm dhe do të drejtojë projektin e ri të Skënderbeut për sezonin e ardhshëm. Vendimi i klubit korçar është zyrtarizuar pa mbyllur ende edicionin aktual, pasi ka qenë vetë tekniku ai i cili në konferencë për shtyp ka konfirmuar vazhdimësinë në stolin e kësaj skuadre.
“Para se të nisni pyetjet, dua të falënderoj drejtuesit e klubit që më dhanë mundësinë të drejtoj Skënderbeun në këto katër muaj. Pa diskutim edhe futbollistët në veçanti, pasi janë paraqitur mirë, pavarësisht vuajtjeve të pësuara në këtë kampionat. Ju falënderoj edhe ju, që keni qenë të duruar dhe jeni pjesë e rëndësishme për futbollin.
I falënderoj edhe tifozët për mbështetjen e dhënë, kanë duruar dhe kanë qenë krah futbollistëve. Dhe e fundit, vitin tjetër do ta nisin kampionatin bashkë. Ky vendim erdhi pas një bisede që kam pasur me presidentin. Nëse ka besim, ka edhe një linjë të përbashkët për atë që kemi bërë”, tha Memelli duke hapur me këtë lajm konferencën para ndeshjes së fundit të sezonit ndaj Tiranës.
Në sezonin e ardhshëm, objektivat do të ndryshojnë, pasi Skënderbeu do të kthehet të luftojë për titullin kampion, pavarësisht dënimit të UEFA-s. “Kemi bërë një bisedë të shkurtër, detajet do të zbulohen në vazhdim. Do t’i bëjmë gjërat në mënyrën më të mirë të mundshme. Vitin tjetër do konkurrojmë fort me skuadrat që i kemi ndalur, duke nisur me Partizanin, Kukësin, Teutën, Vllazninë.
Do të jemi rivalë të denjë të kampionatit. Baza e lojtarëve është. Afrimet do të zbulohen javët e ardhshme. Nuk po flasim për titull, por që do të jemi konkurrentë. Pse të mos jetë Skënderbeu në 5-6 skuadrat më të mira të kampionatit?!”, tha ai.
Por në fillim duhet mbyllur sezoni me një ndeshje me Tiranën e më pas finalja e Kupës ndaj Vllaznisë. “Tirana është skuadër që ka pasur luhatje në këtë kampionat. Janë paraqitur mirë me Nevilin dhe Orgesin. Ka qenë çështje fati që nuk kanë ecur.
Në këtë ndeshje do të bëjmë më të mirën, me lojtarët që kanë pasur pak hapësira, që të tregojnë vlerat. Të mbarojmë me Tiranën, pastaj flasim për finalen e Kupës me Vllazninë. Do ta respektojmë kampionatin deri në fund”, deklaroi Memelli. /vipsport/