Ka zgjatur vetëm pak muaj aventura e Ndriçim Shtubinës me fanellën e ekipit kampion të Kukësit. Lojtari ka marrë tashmë lejen e kalimit nga klubi verior dhe është i lirë të vendosë për skuadrën e re. Klubi verior vendosi të ndërpresë bashkëpunimin me të dhe disa lojtarë të tjerë, si Kërkotiç e Memini, pas ndeshjes së fundit në kampionat me Luftëtarin. Në një intervistë për “Vip Sport”, futbollisti shkodran ka folur pa “pengje” në lidhje me periudhën te Kukësi dhe ndarjen e shpejtë me këtë ekip.

Mesfushori 30-vjeçar ka pohuar se është gati për një rikthimin te Vllaznia.

Ndriçim, a mund të na sqaroni situatën në lidhje me largimin tuaj nga Kukësi?

Po, sapo kemi mbyllur marrëveshjen me Kukësin, me mirëkuptim. Kam marrë në dorë lejen e kalimit nga Kukësi dhe tashmë do të mendoj për ta vazhduar karrierën me një ekip tjetër.

Nuk e shihni të padrejtë faktin që “faturën” e rezultateve të dobëta të Kukësit po e paguani ju që keni luajtur shumë pak ose aspak?

Unë di të them se jemi ndarë si miq, kemi shkëmbyer edhe numrat e rinj të telefonit. Drejtuesit e Kukësit vendosën kështu dhe, siç e thashë, jemi ndarë miqësisht. Ishin veta ata që më morën, por tani vendosën që ta ndërpresim kontratën. Nuk kam çfarë të them më shumë.

A jeni likuiduar financiarisht, ka Kukësi detyrime ndaj jush?

Jo, çdo gjë është në rregull dhe unë thjesht dua të shpreh respektin për drejtuesit dhe tifozët e Kukësit. Për aq kohë sa kam qenë me këtë ekip, kam kaluar mirë.

Ku e shikoni të ardhmen tuaj në vazhdim të sezonit?

Nuk e di akoma, sepse sapo kam marrë lejen e kalimit. Kam folur me menaxherin tim dhe të shohim çfarë do të bëjmë.

E mendoni kthimin te Vllaznia?

Unë jam i hapur, madje mund të them se nuk kam qenë unë ai që kam dashur të largohem nga Vllaznia. Tani drejtuesit e Vllaznisë e kanë marrë vesh që jam lojtar i lirë dhe jam gati të bisedoj me ta. Të shohim gjatë ditëve në vazhdim si do të shkojnë punët, por jam i hapur për çdo gjë. Kam kohën e duhur për të vendosur.