Ndriçim Shtubina pas largimit nga Vllaznia, nuk ka mbetur shumë kohë pa skuadër. I kanë mjaftuar pak orë bisedime dhe në fund ka gjetur akordin për ekipin e ri. Bëhet fjalë për kampionët në fuqi të vendit, ata të Kukësit, me të cilët ish- kapiteni kuqeblu ka arritur akordin dhe ka firmosur kontratën e re.

Kjo pasi, ka arritur edhe marrëveshjen financiare me presidentin Gjici dhe duket se kemi të bëjme një kontratë shumë të mirë se ajo që ka patur me Vllazninë dhe mbase kjo mund të jetë arsyeja që e ka çuar atë të mos rinovojë në Shkodër. Shtubina është prezantuar para mediave menjëherë pas prezantimit të trajnerit të ri të Kukësit që do të jetë serbi I cili sezonin e fundit drejtoi Luftëtarin e Gjirokastrës- Milenkoviç. 30 vjeçari shkodran ka marrë leje- kalimin nga klubi kuqeblu mesditën e së premtes dhe menjëherë është nisur drejt kryeqytetit ku ka arritur marrëveshjen me ekipin e tij të ri. Mbase, vendimi I drejtuesve shkodranë ka qenë disi I nxituar duke mos I plotësuar kërkesat, mbase edhe vetë lojtari nuk ka dashur të qëndrojë më tek kjo skuadër, për të nisur një përvojë të re por gjithsesi tashmë nuk ka më asnjë dilemë. Shtubina do të jetë pjesë e Kukësit në sezonin e ri. Sakaq tek Vllaznia krijohet një gropë që pritet të mbushet shpejt. Me shumë të ngjarë, vendin e ish- kapitenit do ta zërë një tjetër futbollist me shumë përvojë, Gilman Lika. Gjithsesi duhet pritur të paktën edhe 2-3 ditë, periudhë kur tek skuadra shkodrane pritet të nisin edhe firmosjen e para të kontratave me lojtarët e kërkuar në merkato.

© shkodrasport.com