Luis Enrique nuk është më trajneri i kombëtares spanjolle. Kontrata i përfundonte pas përfundimit të Botërorit të Katarit, teksa palët kanë zgjedhur të mos rinovojnë bashkëpunimin pas dështimit të iberikëve në Kupën e Botës Katar 2022.

Spanja fitoi vetëm një nga katër ndeshjet e zhvilluara dhe u eliminua me penallti nga Maroku në raundin e 1/8-ve. Nëpërmjet një postimi zyrtar në Twitter, Federata Spanjolle e Futbollit ka lajmëruar largimin e trajnerit 52-vjeçar.

“Federata falënderon Luis Enriquen për punën e zhvilluar në drejtimin e kombëtares spanjolle”, shkruan RFEF. Ish-mesfushori qëndronte në stolin e Spanjës prej korrikut të vitit 2018, por u shkëput në periudhën mars-nëntor 2019 si pasojë e vdekjes së vajzës së tij, Xana Martinez.

Sa i përket klubeve, ai punoi si teknik i Barcelonës, Romës dhe Celta Vigos. Një nga emrat që përfliten si zëvendësues të Luis Enriques është Marcelino, i cili ka drejtuar në La Liga skuadra si Valencia, Villareal, Athletic Bilbao dhe Sevilla.

Ndërkohë, shanse reale për t’u ulur në stolin e Spanjës ka edhe Luis De La Fuente, 61-vjeçari që drejton kombëtaren U21 iberike prej vitit 2018.