Besëlidhja po behet gati per startin e sezonit te ri. Nën urdhrat e trajnerit Bardhi nuk ka fytyra të tjera të reja, por presidenti Noka po punon për merkaton. Mbrojtësi dhe kapiteni i Besëlidhjes, Kledi Dibra, do të luajë sezonin e 10-të me këtë skuadër.

Në një prononcim për “Panorama Sport” ai shprehet: “Thuajse tërë karrierën time e kam konsumuar këtu në Lezhë. Ndonëse kam pasur mjaft oferta, kam preferuar Besëlidhjen, pasi jam familjarizuar dhe e kam shumë të vështirë të ndahem. Fillimet e mia në Lezhë ishin të suksesshme, dy sezonet e para ishim afër ngjitjes dhe vetëm fati na ka ndalur.

Sezonin e fundit e konsideroj pjesërisht të suksesshëm, pasi i kishim mundësitë për t’u ngjitur direkt në elitë, por lamë pikë me skuadrat e dobëta dhe kjo gjë nuk duhet të përsëritet. Për sezonin në vijim ende shpresojmë te ngjitja, pas mbetjes në fuqi të dënimit të Skënderbeut. Gjithsesi, po stërvitemi intensivisht, pasi koha që kemi në dispozicion është e shkurtër.

Trajneri Sinan Bardhi e njeh shumë mirë Kategorinë e Parë dhe Besëlidhjen, ndaj shpresoj shumë te puna e tij. E kam pasur trajner edhe para 5 vitesh. Për merkaton them se skuadra më tepër ka nevojë për ‘arnime’, aty ku ka pasur largime nga sezoni i shkuar, ku ishim të kompletuar. Sido që të vijnë punët, i ka ardhur koha Besëlidhjes të bëhet pjesë e elitës”.