Vllaznia ka lënë pas humbjen dhe eliminimin nga Kupa në mesjavë përballë Teutës dhe po bëhen gati për ndeshjen e rradhës. Atë që do të luajnë sërish ndaj durrsakëve, por këtë herë në Shkodër dhe të vlefshme për kampionatin e Kategorisë Superiore.

Padyshim që do të jetë një përballje shumë e fortë pasi edhe skuadra që drejtohet nga Edi Martini është shumë e motivuar për të kërkuar fitoren. Ajo ndonëse ka kaluar në gjysmëfinale të Kupës, ende nuk e ka siguruar objektivin e saj për të qenë në Kupat e Europës dhe prandaj do të tentojë ta arrijë edhe përmes kampionatit.

Për këtë arsye, do të tentojnë të marrin pikë në “Loro Boriçi” sepse edhe moralin e kanë të lartë. Megjithatë, të njëjtën gjë duan edhe kuqeblutë të cilët ndodhen në pozita jo të mira në renditje. Por për Vllazninë, arritja e një rezultati pozitiv bëhet edhe më e vështirë ngaqë nuk do të ketë në dispozicion disa prej lojtarëve titullarë të ekipit.

Kështu, mbrojtësi Adili është I pezulluar me kartona, ndërkohë që Hygor e Ramadani vazhdojnë të jenë të dëmtuar. Të mërkurën u dëmtua edhe mesfushori tjetër Bardulla I cili do të mungojë nesër, ndërkohë që duhet parë deri në fund gjendja e mbrojtësve Malota e Marku.

Problem është sidomos gjendja e mbrojtësit lezhjan sepse nëse ai nuk do të rikuperohej, do të krijonte një shqetësim të madh për stafin teknik ngaqë nuk ka alternativa për qendrën e mbrojtjes. Megjithatë, për kuqeblutë nuk duhet të ketë asnjë justifikim. Fitorja ndaj Teutës është detyrë dhe Vllaznia me siguri do ia dalë ta marrë atë.
www.shkodrasport.com