Tuesday, May 19, 2026
FAQJA E PARE KRYESOREPartizani U19 realizon dopietë trofesh, një shkodran shkëlqen me gola në finale

Partizani U19 realizon dopietë trofesh, një shkodran shkëlqen me gola në finale

Shkruar nga Endri ÇINARI

Partizani U-19 ka mbyllur në mënyrën më të mirë sezonin, duke fituar Kupën e Shqipërisë dhe duke kompletuar dopietën sezonale pas triumfit edhe në kampionat. Të kuqtë triumfuan në finalen ndaj Teutës me rezultatin e pastër 0-3, në një ndeshje ku diferencën e bënë cilësia dhe efikasiteti në repartin ofensiv.

Sfida u zhbllokua fillimisht nga Banushi, i cili kaloi në avantazh kryeqytetasit dhe i dha qetësi skuadrës në minutat e para të takimit. Pas golit të parë, Partizani administroi mirë lojën dhe krijoi hapësira për të goditur sërish kundërshtarin.

Më pas ishte radha e Nebi Qokthit për të marrë rolin e protagonistit. Sulmuesi shkodran realizoi dy gola, duke vulosur suksesin e Partizanit dhe duke i siguruar trofeun skuadrës së tij. 19-vjeçari tregoi edhe një herë aftësitë në fazën sulmuese, duke qenë vendimtar në ndeshjen më të rëndësishme të sezonit për ekipin U-19.

Qokthi është një produkt i akademisë së Vllaznisë, ndërsa këtë sezon është aktivizuar si profesionist në Superiore me ekipin e Partizanit. Sulmuesi ka qenë pjesë e alternativave të skuadrës së parë dhe ka fituar minuta të rëndësishëm gjatë sezonit, duke treguar progres të vazhdueshëm.

Paraqitjet e tij në kampionatin e të rinjve dhe aktivizimi në elitën e futbollit shqiptar e bëjnë Nebi Qokthin një nga elementët premtues për të ardhmen. Finalja e Kupës ishte një tjetër sinjal pozitiv për zhvillimin e tij, ndërsa Partizani konfirmoi punën e bërë me grupmoshat dhe dominimin në futbollin shqiptar për të rinj.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments