14-shoqatat e ekipeve të klubit shumësportesh Vllaznia do të jenë ditën e sotshme në një dëgjesë publike që Bashkia dhe Këshilli Bashkiak i Shkodrës kanë caktuar për diskutimin në lidhje me projekt-buxhetin e sportit për vitin 2023.

Disa ditë më parë, përfaqësuesit e ekipeve të volejbollit, basketbollit, atletikës, boksit, çiklizmit, peshëngritjës, mundjes, futbollit të femrave, notit, gjimnastikës, ping-pongut dhe xhudos, kërkuan një dëgjesë publike me drejtuesit e Bashkisë dhe një gjë e tillë ka marrë përgjigje pozitive.

Këto ekipe financohen nga ana e Bashkisë Shkodër, si pjesë e projekteve të paraqitura dhe të fituara në mbështetje të programit të financimit “Reload”. Në bazë të marrëveshjes, projektet në fjalë përfundojnë në fund të qershorit të vitit të ardhshëm.

Në fakt, Bashkia Shkodër ka nisur konsultimet me përfituesit e çdo fushe, por realisht nga praktika e mëparshme, ndarja e fondeve është bërë pa qenë të pranishëm njerëzit e duhur. Pikërisht për këtë arsye, por edhe për faktin se në qershor të vitit të ardhshëm me datë 30, do të mbyllet projekti i përfituar nga programi “Reload”, ditën e sotme do të realizohet kjo dëgjesë publike.

Bashkëpunimi i deritanishëm i Bashkisë Shkodër me të gjitha shoqatat përfituese të këtij projekt, thuhet se ka qenë shumë pozitiv, por përfaqësuesit e këtyre shoqatave duan që për periudhën e ardhshme të ulen dhe të diskutojnë së bashku me institucionin e pushtetit lokal.

Për këtë arsye, 14-shoqatat të përfaqësuara nga Florian Zekja, Aleksandër Leqejza, Bledar Gjeçaj, Albert Marashi, Zef Gjoni, Leonat Kola, Artur Lagja, Nazmi Elezi, Lazër Matija, Kolë Shiroka, Leonard Luli, Aurora Shkoza, Tonin Binoshi dhe Altin Loshi kërkuan organizimin e një dëgjese për të ardhmen e sportit në Shkodër.

Dëgjesa publike do të realizohet ditën e sotme, në ora 12:00 në sallën e Këshillit Bashkiak Shkodër. Tashmë, duhet pritur se çfarë do të prodhojë takimi i sotshëm që në fakt konsiderohet shumë i rëndësishëm për të ardhmen e sportit shkodran.
Maringlen ZHIVANI